Aksion i madh i Policisë në Prizren për fajde – një i arrestuar, katër në arrati, dëmi rreth 700 mijë euro

Posted by

Një operacion i gjerë policor është zhvilluar sot në Prizren, ku autoritetet kanë goditur një grup të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me fajdenë.

Aksioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Sipas hetimeve, pesë persona me inicialet B.K., GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R. dyshohen për veprat penale “Fajdeja”, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dyshohet se të përfshirët kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të mëdha parash si interes për fajde, duke përdorur presion dhe forma të ndryshme dhune. Në disa raste, sipas policisë, viktima është privuar edhe nga liria për ta detyruar të paguajë kamata të larta.

Dëmi i shkaktuar ndaj viktimës vlerësohet të jetë rreth 700 mijë euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450 mijë euro shtesë në emër të interesit të fajdesë.

Gjatë operacionit policor janë kryer kontrolle në pesë lokacione në qytetin e Prizrenit, ku është arrestuar një nga të dyshuarit, ndërsa katër persona të tjerë janë në kërkim policor.

Me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj të arrestuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *