Albulena Haxhiu: Opozita të mos pengojë zgjedhjen e Presidentit, ende pa kandidat zyrtar

Posted by

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive opozitare që të mos krijojnë pengesa në procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke theksuar se vendi nuk ka nevojë për përsëritje të situatave bllokuese si ato të vitit të kaluar.

Haxhiu theksoi se aktualisht nuk ka një emër konkret të vendosur nga shumica parlamentare, përveç atyre që janë përmendur publikisht nga kryeministri Albin Kurti.

Ajo bëri të ditur se gjatë ditës pritet një tjetër takim mes Kurtit dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga i cili mund të qartësohen më shumë qëndrimet politike rreth këtij procesi.

“Nuk mund të ndërhyj në diskutimet që zhvillojnë partitë politike. Në VV ka pasur biseda, por nuk ka një emër të përveçëm, përveç atyre që janë përmendur publikisht nga Kurti. Është e rëndësishme që të mos ketë bllokada, sepse ato nuk i shërbejnë interesit të shtetit”, deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, sigurimi i 80 votave në dy raundet e para është thelbësor, duke iu referuar edhe aktgjykimit që kërkon pjesëmarrjen dhe votimin e të gjithë deputetëve.

“Nevojiten 80 vota në dy raundet e para. Kjo lidhet drejtpërdrejt me detyrimin që deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Prandaj është me rëndësi që votat të jenë në kuti dhe të mos ketë tendenca për ta bllokuar procesin”, theksoi ajo.

Zhvillimet pas takimit Kurti–Abdixhiku pritet të japin sinjale më të qarta për ecurinë e zgjedhjes së Presidentit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *