Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar ndaj raportimeve mediatike që e lidhin me dokumentet e publikuara së fundmi në lidhje me Jeffrey Epstein. Jahjaga thekson se çdo informacion i tillë është i pabazuar dhe i pavërtetë.
Në një postim në Facebook, ajo sqaron se nuk ka pasur asnjëherë njohje, takim apo kontakt me Epstein, dhe përmendja e emrit të saj lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën asnjë lloj lidhjeje personale.
Ajo ka kërkuar gjithashtu që ky sqarim të publikohet në të gjitha mediat që e kanë përmendur, duke theksuar se çdo raportim ndryshe është insinuatë dhe mashtrim ndaj opinionit publik.





