Një zhvillim i pazakontë politik është shënuar sot në Prekaz, ku kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, është pritur në Kullën e familjes Jashari nga kryefamiljari Rifat Jashari.
Kjo vizitë konsiderohet e veçantë, pasi pas më shumë se dhjetë vitesh një lider i PDK-së është pritur brenda Kullës së Jasharëve, një nga vendet më simbolike të historisë së luftës në Kosovë dhe rezistencës së familjes Jashari.
Vizita e Hamzës vjen pas një periudhe të gjatë tensionesh në raportet mes PDK-së dhe familjes Jashari. Për vite me radhë, drejtues të kësaj partie kanë kryer homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, por pa u pritur në kullën e familjes.
Në të kaluarën, ish-kryetari i PDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte vizituar varrezat e familjes Jashari për të bërë homazhe, megjithatë nuk ishte pritur brenda Kullës së Jasharëve.
Takimi i sotëm mes Hamzës dhe Rifat Jasharit shihet nga njohësit e zhvillimeve politike si një sinjal për një klimë më të qetë dhe përpjekje për përmirësimin e raporteve mes PDK-së dhe familjes Jashari.
Familja Jashari konsiderohet simbol i rezistencës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës, ndërsa Kulla e Jasharëve në Prekaz është një nga vendet më të rëndësishme historike dhe memoriale në vend.
Detaje të tjera nga takimi dhe mesazhet e dhëna gjatë vizitës pritet të bëhen të ditura gjatë ditës.






Leave a Reply