Besnik Tahiri kritikon Qeverinë për Ligjin për të Huajt: “Serbia përfiton, Kosova mbetet pa asgjë”

Posted by

Deputeti i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me implementimin e Ligjit për të Huajt në Kosovë, duke ngritur disa pyetje për mënyrën se si është arritur dakordimi.

Tahiri fillimisht ka shtruar dy pyetje kryesore: nëse ky vendim është marrë ad hoc, “për hatër”, apo nëse është pjesë e një premtimi të mëhershëm të qeverisë. Ai gjithashtu ka ngritur dilema për procesin e dialogut me Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke pyetur se çfarë përfitimi konkret ka pasur Kosova nga ky proces.

Sipas Tahirit, përgjigjet janë të qarta. Përmes një reagimi në Facebook, ai ka deklaruar se Serbia ka dalë sërish përfituese nga marrëveshjet e arritura.

“Me lëshimet për Ligjin për të Huajt, kryeministri bëri një tjetër koncesion, ndërsa Serbia doli sërish përfituese dhe e kënaqur me dakordimin. Modeli po përsëritet: fillimisht retorikë e ashpër kundër dialogut, pastaj kritika nga partnerët ndërkombëtarë dhe në fund koncesione në rënie të lirë në shpinë të Kosovës. Në fund: Kurti i kënaqur, BE-ja e kënaqur, Serbia përfiton, e Kosova kërkah!”, ka shkruar Tahiri.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka pranuar që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, si dhe të njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe.

Këta hapa synojnë të zbusin pasojat e zbatimit të plotë të Ligjit për të Huajt dhe rregullave për automjetet, që pritet të hyjnë në fuqi më 15 mars. Sipas legjislacionit në fuqi, personat që nuk kanë dokumente të Kosovës duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në rrugët e vendit për më shumë se tre muaj pa autorizim.