Dëshmia e Kushtrim Kokalla në rastin e Liridona Ademaj: “S’kam lidhje me ngjarjen”

Posted by

Në seancën e sotme gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademaj, ka vazhduar dëshmia e të akuzuarit Kushtrim Kokalla, i cili është përballur me pyetjet e trupit gjykues dhe të mbrojtjes.

Gjatë deklarimit të tij, Kokalla ka mohuar çdo përfshirje në rast, duke theksuar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se nuk ka qenë ai që ka prezantuar Naim Murseli me Granit Plava.

Megjithatë, në dëshminë e tij ai ka dhënë detaje lidhur me lëvizjet dhe takimet e asaj dite. Sipas tij, ai kishte qëndruar rreth një orë e gjysmë në shtëpinë e Naim Murselit.

“Një orë e gjys kam nejt në shtëpi te Naimi. Dojke mem nejt afër, për shkak që kam hy në kredi për të,” ka deklaruar Kokalla para trupit gjykues.

Ai ka shtuar se më pas ishte planifikuar një takim me Granit Plavën në Prishtinë, pasi ky i fundit të përfundonte disa punë. Sipas tij, ishte vetë Naim Murseli ai që kishte insistuar ta dërgonte për ta takuar Plavën, pavarësisht se Kokalla kishte propozuar të shkonte me taksi.

“Masi e kryva takimin me Naimin, ai ka insistu mem dërgu te Graniti, edhe pse i thojsha që shkoj me taksi. Pastaj jemi taku në ‘Shell’ me Granitin dhe kemi shku në Gjakovë bashkë,” ka rrëfyer ai.

Dëshmia e Kokallës pritet të jetë një nga elementët kyç në këtë proces gjyqësor, i cili po ndiqet me vëmendje të madhe nga opinioni publik.