Dhoma të dëmtuara, zhurmë dhe mungesë uji – Çfarë po ndodh me pacientët në Instituti i Psikiatrisë Forenzike

Posted by

Pacientët e burgosur që po trajtohen në Instituti i Psikiatrisë Forenzike (IPFK) kanë adresuar ankesa për kushte të vështira brenda institucionit, duke përmendur keqtrajtim, dhunë psikologjike, mungesë të ujit dhe energjisë elektrike, si dhe zhurmë të vazhdueshme nga punimet që po zhvillohen aty.

Sipas pretendimeve të tyre, që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, kur ka nisur procesi i zgjerimit të kapaciteteve trajtuese, situata është rënduar ndjeshëm. Ata e konsiderojnë zhurmën dhe kushtet e krijuara si presion të vazhdueshëm psikologjik.

 

 

Nga ana tjetër, drejtues të institucionit kanë deklaruar se pamjet i përkasin fazës fillestare të punimeve dhe se situata është menaxhuar. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të IPFK-së, Arsim Gashi, ka theksuar se dëmet teknike janë riparuar brenda ditës dhe se janë ndërmarrë masa për të parandaluar përkeqësimin e kushteve.

Sipas tij, para fillimit të projektit janë zhvilluar takime me ekspertë dhe me kompaninë ndërtimore për të vlerësuar ndikimin e punimeve, përfshirë edhe zhurmën, në mirëqenien e pacientëve. Menaxhmenti ka kërkuar mirëkuptim nga pacientët, duke e konsideruar zgjerimin si projekt të domosdoshëm për përmirësimin e kushteve në të ardhmen.