Një grua e plagosur me armë zjarri në Istog nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra, ka konfirmuar Spitali i Përgjithshëm në Pejë.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, pacientja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
“Menjëherë pas pranimit, ekipet kujdestare, të përkrahura edhe nga ekipet e gatishmërisë, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme mjekësore dhe reanimuese, duke u përpjekur maksimalisht për t’i shpëtuar jetën pacientes. Përkundër angazhimit intensiv dhe profesional të stafit shëndetësor, fatkeqësisht pacientja nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Pejës.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Policia e Kosovës. Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në komunën e Istogut.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.
“Sot rreth orës 16:00, Policia është njoftuar nga emergjenca në Istog se një person është plagosur me armë zjarri. E njëjta është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar”, ka deklaruar Rugova.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë për rrethanat e ngjarjes, ndërsa hetimet janë në vazhdim.






Leave a Reply