FAZ ka publikuar raportime që vënë në qendër strategjinë politike të presidentes Vjosa Osmani, duke e paraqitur atë si një përpjekje për të përdorur lidhjet ndërkombëtare për avantazh politik brenda Kosovës. Sipas FAZ, Osmani ka shfrytëzuar ngjitjen në skenën e ceremonisë së nënshkrimit të Bordit të Paqes, të inicuar nga Donald Trump, për të forcuar imazhin e saj dhe për të bindur skenën politike për mandat të dytë presidencial.
Sipas gazetës, Osmani po tenton të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”, në një kohë kur mbështetja e saj në Kuvendin e Kosovës nuk është e mjaftueshme. FAZ raporton se presidentja po dërgon një mesazh të tërthortë politik: “Nëse nuk më rizgjidhni presidente, do të keni telashe me SHBA-në.”
Megjithatë, FAZ vlerëson se, ndonëse Kosova mbetet një nga vendet më pro-amerikane në botë, kjo kartë nuk garanton fitore politike brenda vendit. Strategjia e Osmanit mund të sjellë avantazh afatshkurtër, por nuk mund të zëvendësojë mbështetjen e nevojshme brenda institucioneve vendore.
Analistët politikë vendas vlerësojnë se këto zhvillime mund të ndikojnë në dinamiken e koalicioneve dhe marrëdhënieve mes partive politike në prag të zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa vetë Osmani nuk ka komentuar publikisht lidhur me raportimet e FAZ.





