
Dhomat e Specializuara në Hagë lirojnë me kusht Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun për t’u kthyer në Kosovë, pas rishikimit të paraburgimit.
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar sot, më 10 shkurt 2026, se ish-kreu i AKI-së, Bashkim Smakaj, dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu, janë liruar me kusht për t’u kthyer në Kosovë.
Vendimi është marrë nga Gjykatësi i Vetëm, pas rishikimit të paraburgimit, ku u vlerësua se vazhdimi i mbajtjes së tyre në izolim nuk ishte më i arsyeshëm dhe as proporcional.
“Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen e krerëve të UÇK-së tashmë ka përfunduar dhe se nuk ka gjasa që ndonjë përpjekje për pengim të procesit të mbetet e pazbuluar”, thuhet në komunikatë.
Gjykata ka konstatuar po ashtu se nuk ekziston rrezik arratisjeje, veçanërisht për shkak të dorëzanisë financiare të lartë të ofruar nga të akuzuarit, e cila do të konfiskohej në rast të shkeljes së kushteve.
Megjithëse janë liruar, Smakaj dhe Fazliu mbeten të akuzuar në “Çështjen gjyqësore 12” dhe janë të detyruar t’u përmbahen një sërë masash dhe kufizimesh të përcaktuara nga gjykata.
Ky vendim vjen në një moment të ndjeshëm, vetëm një ditë pasi Prokuroria kërkoi dënime të rënda për krerët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.





