Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova duhet të shkojë aty ku përket, në familjen e NATO.
Në një reagim publik, ai tha se vendi aktualisht ndodhet në një situatë të rënduar ekonomike, politike dhe të sigurisë. Sipas tij, Kosova po përballet me një gjendje të komplikuar institucionale, duke përmendur edhe afatin e kaluar kushtetues për zgjedhjen e presidentit dhe një parlament të pezulluar.
“Jemi në metrat e fundit që t’i kthehemi normalitetit. Jemi në udhëkryqin e madh të një bashkimi të të gjithë atyre që janë të gatshëm ta kalojnë veten e tyre për të mirën e përbashkët”, ka shkruar Haradinaj.
Ai gjithashtu bëri thirrje për unitet politik dhe shoqëror, duke theksuar se Kosova duhet të vazhdojë rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike, duke u rreshtuar përkrah aleatëve perëndimorë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, vetëm përmes bashkëpunimit dhe tejkalimit të interesave personale mund të arrihet normaliteti institucional dhe zhvillimi i vendit, me synimin që Kosova të bëhet pjesë e familjes së demokracive perëndimore.





