IPK rekomandon suspendimin e 8 zyrtarëve policorë në Gjakovë dhe Gjilan

Posted by

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes Departamentit të Hetimeve, në dy raste të ndara i ka rekomanduar Policia e Kosovës suspendimin e tetë zyrtarëve policorë në Gjakovë dhe Gjilan.

Rasti në Gjakovë

Rasti i parë raportohet të ketë ndodhur më 19.02.2026 në Gjakovë, ku një qytetar ishte njoftuar për një gjobë për parkim të veturës në vend të ndaluar. Sipas njoftimit, qytetari kishte shkuar në stacionin policor për të marrë tiketën për kundërvajtje, por pas një bisede me zyrtarët policorë ishte arrestuar si i dyshuar për kanosje.

Sipas IPK-së, është vërejtur se raportet e zyrtarëve policorë, mbi bazën e të cilave është iniciuar rasti i kanosjes, nuk përkojnë me përmbajtjen e incizimit dhe dyshohet se nuk janë të vërteta.

Hetuesit janë konsultuar me Prokuroria Themelore në Gjakovë, ndërsa veprimet hetimore do të vazhdojnë në procedurë të rregullt ndaj gjashtë zyrtarëve policorë për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në interes të hetimit, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor të Drejtorisë Rajonale të Gjakovës.

 

 

Rasti në Gjilan

Në rastin tjetër, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Gjilan.

Hetimet për këtë rast po zhvillohen në koordinim me Prokuroria Themelore në Gjilan, në procedurë të rregullt, me dyshimin për veprën penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.

IPK ka bërë të ditur se, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë, pritet të ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e të dy rasteve.