Ishte zhdukur prej ditësh, gjendet i vdekur në Fulton djali i reperit

Posted by

Djali i reperit të njohur amerikan Lil Jon, 27-vjeçari Nathan Smith, është gjetur i vdekur pas disa ditësh zhdukje. Autoritetet në Fulton presin konfirmimin zyrtar të identitetit.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e muzikës, pasi është konfirmuar vdekja e djalit të reperit të njohur amerikan Lil Jon. Bëhet fjalë për 27-vjeçarin Nathan Smith, i cili ishte zhdukur prej disa ditësh dhe trupi i të cilit është gjetur në një liqen në Qarkun Fulton.

Nathan Smith ishte raportuar i zhdukur që nga e marta, më 3 shkurt, pasi ishte parë për herë të fundit rreth orës 06:00 të mëngjesit në Milton. Sipas policisë, ai ishte larguar me vrap nga banesa e tij në rrethana të pazakonta, pa marrë me vete telefonin celular, ndërsa dyshohej se mund të kishte qenë i çorientuar dhe në nevojë për ndihmë.

“Më 6 shkurt 2026, rreth orës 11:53 paradite, zhytësit e Departamentit të Zjarrfikësve të Qarkut Cherokee gjetën dhe nxorën një trup nga liqeni. Individi besohet të jetë Nathan Smith, në pritje të konfirmimit zyrtar nga Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut Fulton”, thuhet në deklaratën zyrtare të policisë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë shenjë për vepër penale, megjithatë rasti mbetet një hetim i hapur dhe aktiv derisa të përcaktohet shkaku dhe mënyra e saktë e vdekjes.

Pas përhapjes së lajmit, Lil Jon ka reaguar me një deklaratë prekëse për revistën People, ku shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e djalit të tij.

“Jam jashtëzakonisht i shkatërruar nga humbja tragjike e djalit tonë, Nathan Smith. Unë dhe nëna e tij jemi të shkatërruar”, u shpreh reperi.

Ai e përshkroi Nathanin si një njeri jashtëzakonisht të sjellshëm, të dhembshur dhe zemërmirë, i cili e donte pafund familjen dhe miqtë e tij. Lil Jon theksoi gjithashtu se djali i tij ishte një producent i ri muzikor, artist dhe inxhinier zëri shumë i talentuar, si dhe i diplomuar së fundmi në Universitetin e Nju Jorkut.

“Nathan ishte i dashur dhe i vlerësuar. Ne jemi të ngushëlluar nga fakti që në momentet tona të fundit me të, ia shprehëm këtë dashuri”, shtoi ai, duke falënderuar njëkohësisht autoritetet dhe vullnetarët për angazhimin në kërkime dhe duke kërkuar respekt për privatësinë e familjes.

Nathan Smith, i njohur artistikisht si DJ Young Slade ose Slade, ishte aktiv në muzikë dhe kishte publikuar këngën e tij të fundit “Feels” në mars të vitit 2025. Ai kishte marrë pjesë edhe në emisionin e MTV-së “Family Legacy”, ku kishte folur hapur për marrëdhënien me të atin dhe dëshirën për të ndërtuar rrugën e tij artistike.

Lil Jon, emri i vërtetë i të cilit është Jonathan Smith, e kishte Nathanin me ish-bashkëshorten e tij Nicole Smith. Çifti ishte martuar në vitin 2004 dhe kishte njoftuar ndarjen në shkurt të vitit 2024.