Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka dhënë fjalën e tij përfundimtare në Hagë, në kuadër të procesit që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në deklaratën e tij, Krasniqi u shpreh se për më shumë se pesë vjet i janë mohuar të drejtat themelore të njeriut.
“Më janë mohuar të drejtat e njeriut. Më e rëndësishmja, e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes në atdheun e tij. Padrejtësia e këtij rasti u shkrua mbi vetë aktakuzën. Kur e vërteta thuhet thjeshtë, nuk ka nevojë për zbukurime”, tha ai para trupit gjykues.
Fjala e tij përfundimtare u përcoll me vëmendje të madhe, ndërsa procesi gjyqësor në Hagë po hyn në një fazë vendimtare. Vendimi i trupit gjykues pritet të përcaktojë epilogun e këtij rasti që ka zgjatur prej vitesh.





