,

Kosova në Bordin e Paqes, Osmani: Besoj te lidershipi i Trump për paqe

Posted by

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar pjesëmarrjen e vendit në Bordin e Paqes, pas nënshkrimit të Kartës së kësaj nisme, në prani të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe bashkëthemeluesve të tjerë.

Në deklaratën e saj për mediat ndërkombëtare, Osmani theksoi se Kosova ka kaluar një periudhë të dhimbshme lufte dhe se paqja që sot gëzon vendi është fryt i mbështetjes ndërkombëtare, me një rol të veçantë të SHBA-së.

“Duke ardhur nga një vend i shkatërruar nga lufta dhe sot duke jetuar në paqe falë udhëheqjes amerikane, ndjejmë krenari dhe mirënjohje që jemi pjesë e kësaj nisme krah Presidentit Trump,” tha Osmani, duke shtuar se gjenerata e saj ka kaluar fëmijërinë në kohë lufte.

Ajo shprehu besimin e saj të plotë në lidershipin amerikan dhe në qëllimet konkrete të Bordit të Paqes, duke theksuar se nisma synon shpëtimin e jetëve dhe përparimin e stabilitetit global.

Presidentja gjithashtu përmendi përvojën mbi 20-vjeçare të Kosovës në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, duke e konsideruar vendin një shembull që mund të ndihmojë në praktikat ndërkombëtare për ndërtimin e paqes.

Osmani sqaroi se Bordi i Paqes nuk synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, por të punojë paralelisht me institucionet ndërkombëtare, duke ofruar një proces vendimmarrjeje më të drejtpërdrejtë dhe efikas.