“Ku është ai? Kam me e vra” – dalin detaje tronditëse nga incidenti i Gjestit në studion muzikore

Posted by

Reperi Gjesti, emri i vërtetë i të cilit është Besart Kelmendi, mund të përballet me masën e paraburgimit pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar kërkesë në Gjykata Themelore në Prishtinë për caktimin e kësaj mase ndaj tij.

Këngëtari u ndalua të mërkurën nën dyshimin për tri vepra penale: armëmbajtje pa leje, kanosje dhe dëmtim të pasurisë.

Sipas informacioneve të publikuara, incidenti dyshohet të ketë ndodhur pranë zyrave të studios muzikore Onima në Prishtina, pas një mosmarrëveshjeje që lidhej me një borxh të mëhershëm.

Burimet pretendojnë se reperi kishte shkuar në zyrat e studios duke kërkuar një person me inicialet E.Sh., ndërsa dyshohet se iu është drejtuar stafit me fjalët: “Ku o se kam me vra”.

Meqenëse nuk e kishte gjetur personin që po kërkonte, dyshohet se ai ka reaguar me zemërim, duke dëmtuar inventarin e studios, përfshirë kompjuterë, tavolina dhe xhama, çka ka shkaktuar dëm material.

Sipas të njëjtave burime, kur në vendin e ngjarjes kanë arritur zyrtarët e Policia e Kosovës, këngëtari është gjetur me armë në dorë, e cila më pas është sekuestruar nga policia.

Ndërkohë, seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet nesër në orën 09:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Prokuroria ka njoftuar se Gjesti është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *