Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.
Në një deklarim për media, Kurti theksoi se FSK-ja gëzon reputacion ndërkombëtar për kapacitetet e saj në fushën e kërkim-shpëtimit dhe de-minimit, çka ka ndikuar në gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision.
“Kemi qenë përfitues nga Forcat Ndërkombëtare, veçanërisht në vitin 1999, por edhe më pas. Kemi dashur që të kontribuojmë edhe ne”, deklaroi Kurti, duke rikujtuar rolin e misioneve ndërkombëtare në Kosovë pas luftës.
Ai bëri të ditur gjithashtu se kjo forcë do të ketë edhe një organizim politik dhe se aktualisht po diskutohen elementet konkrete të funksionimit të saj.
Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani, në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington, ka njoftuar se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para që janë zotuar për dërgimin e trupave paqeruajtëse në kuadër të një force të përbashkët ndërkombëtare për sigurinë në Gazë.





