Kurti: Shtesat për fëmijë do të dyfishohen në mandatin e ri

Posted by

Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, gjatë ekspozesë para deputetëve të legjislaturës së 10-të, ka prezantuar prioritetet dhe arritjet ekonomike të mandatit të kaluar, duke paralajmëruar rritje të reja në mandatin e ardhshëm.

Kurti theksoi se gjatë gati pesë viteve të fundit, përfshirë afro një vit si qeveri në detyrë, Kosova ka shënuar rritje mesatare reale prej 6 për qind të Bruto Produktit Vendor. Sipas tij, BVP-ja është rritur nga 7 miliardë euro në 11 miliardë euro, ndërsa projektohet të arrijë në 12 miliardë euro gjatë këtij viti.

Mandatari përmendi gjithashtu rritjen e numrit të të punësuarve dhe ngritjen e të ardhurave, duke paralajmëruar se paga mesatare në sektorin publik do të kalojë mbi 1000 euro në muaj në mandatin e ri.

Një nga zotimet kryesore që ai bëri ishte dyfishimi i shtesave për fëmijë. Aktualisht ato variojnë nga 30 deri në 45 euro për çdo fëmijë, ndërsa në qeverinë e re pritet të rriten ndjeshëm.

“Me këtë rritje do të lëmë prapa edhe disa shtete të BE-së sa u përket shtesave për fëmijë”, deklaroi Kurti para deputetëve.