Manipulime masive në vota, por pak pasoja: vetëm një deputet humb mandatin

Posted by

Procesi i rinumërimit të votave ka nxjerrë në pah shkelje serioze në Qendrat Komunale të Numërimit, ku mbi 80 mijë vota të kandidatëve rezultuan të pasakta ose të numëruara gabimisht. Megjithatë, pavarësisht këtyre parregullsive të mëdha, deri më tani vetëm një mandat deputeti ka ndryshuar.

Sipas të dhënave nga rinumërimi, rreth 40 mijë vota u përkasin kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, rreth 15 mijë Vetëvendosjes, 11 mijë Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe rreth 4 mijë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Edhe pse janë evidentuar manipulime të shumta brenda partive politike, ndarja e mandateve brenda subjekteve ka mbetur e pandryshuar. E vetmja lëvizje konkrete ka qenë largimi nga Kuvendi i deputetit të komunitetit turk, Fikrim Damka, i cili është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazreku.

Sipas burimeve, manipulimet janë realizuar në dy mënyra:
– përmes shtimit të votave drejtpërdrejt në sistem në rastet kur qytetarët kishin votuar më pak se 10 kandidatë,
– dhe përmes zhvendosjes së votave nga një kandidat te tjetri brenda së njëjtës parti.

Këto parregullsi kanë çuar në nisjen e hetimeve në disa komuna, ku një numër komisionarësh dhe vëzhguesish kanë përfunduar edhe në paraburgim. Megjithatë, deri më tani asnjë deputet, emri i të cilit ka dalë me dallime të mëdha votash, nuk është ftuar ende për intervistim nga prokuroria.

Rinumërimi i fundit në Podujevë ka zbuluar mospërputhje të mëdha. Kandidatit të Vetëvendosjes, Ejup Maqedonci, i janë hequr 404 vota, ndërsa Vendenis Lahut 378, Adelina Stublla 226 dhe Albin Kurti 96 vota. Në PDK, kandidates Ditjona Statovci i janë hequr 187 vota.

Situatë e ngjashme është vërejtur edhe në Obiliq, ku Gazmend Krasniqit i janë hequr 362 vota, Adelina Graincës 295 dhe Enver Dugollit 106 vota.

Rinumërimi sot shënon ditën e 17-të, ndërsa pritet të përfundojë nesër. Ende nuk dihet se kur KQZ do t’i shpallë rezultatet përfundimtare, ndërsa pas tyre do të hapen afatet për ankesa në PZAP dhe Gjykatën Supreme.