‘Nëse Prishtina vendos 10€, unë e bëj 20€!’ – Reagimi i fortë i Valon Prebrezës për taksën rrugore

Posted by

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka reaguar ashpër ndaj propozimit për vendosjen e një takse rrugore për hyrje në Prishtinë, duke paralajmëruar masa të ngjashme nëse një vendim i tillë miratohet.

Ai deklaroi se e ka seriozisht çështjen e tarifës për hyrje në Fushë Kosovë, por vetëm në rast se Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Përparim Rama, vendos një tarifë prej 10 eurosh për qytetarët që hyjnë në kryeqytet.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Prebreza e cilësoi këtë ide si të padrejtë për qytetarët e Kosovës, duke theksuar se një vendim i tillë do të prekte të gjithë pa përjashtim. Sipas tij, për shkak të pozitës strategjike, pothuajse çdo qytetar i Kosovës kalon përmes Fushë Kosovës.

Ai shkoi edhe më tej duke paralajmëruar kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë: nëse Prishtina vendos tarifën 10 euro, ai do të vendosë 20 euro për hyrje në Fushë Kosovë për qytetarët e Prishtinës, si dhe 10 euro për hyrje në rrugën e Aeroportit të Prishtinës.

Prebreza theksoi se një logjikë e tillë hap rrugën që çdo komunë të vendosë rregulla dhe tarifa të veta, duke përmendur edhe mundësinë e vendosjes së tarifave për ndërmarrje apo infrastrukturë që kalon në territorin e tyre.

Ai nënvizoi se kjo nuk është një deklaratë e bërë për shaka, por një qëndrim serioz që do të ndiqet nëse një vendim i tillë miratohet nga Prishtina.

Ndërkohë, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar që draft-rregullorja për taksën ditore prej 10 eurosh të kalojë në shqyrtim publik. Sipas autoriteteve komunale, qëllimi është krijimi i një sistemi më të drejtë, ku secili që operon apo hyn në kryeqytet kontribuon për shërbimet komunale.

Debati për këtë çështje pritet të vazhdojë, pasi propozimi ka ngjallur reagime të shumta si nga zyrtarët lokalë, ashtu edhe nga qytetarët.