Putin mesazh të fortë Iranit: “Jemi partner i besueshëm” – akuza për ndihmë ushtarake ndezin alarmin

Posted by

Presidenti rus Vladimir Putin ka rikonfirmuar mbështetjen e tij për Iranin, duke e cilësuar Moskën si një “mik besnik dhe partner i besueshëm” në një moment të ndjeshëm për vendin.

Në një mesazh me rastin e festës së Novruz, Putin i uroi popullit iranian forcë dhe qëndrueshmëri për të përballuar sfidat aktuale, sipas deklarimeve zyrtare nga Kremlini.

Megjithatë, paralelisht me këtë deklaratë, raportime nga CNN hedhin dritë mbi një dimension më të tensionuar të marrëdhënies mes dy vendeve.

Sipas këtyre burimeve, Rusia dyshohet se po i ofron Iranit mbështetje të avancuar ushtarake, përfshirë taktika më të sofistikuara të përdorimit të dronëve për operacione në Lindjen e Mesme, veçanërisht ndaj interesave amerikane dhe vendeve të Gjirit.

Po ashtu, raportohet se Moska mund të jetë duke ndarë informacione sensitive mbi lëvizjet e forcave amerikane – përfshirë trupa, anije dhe avionë – duke përdorur edhe sisteme të avancuara të mbikëqyrjes satelitore.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Iranit kanë qenë prej kohësh të ngushta në aspektin strategjik. Në të kaluarën, Irani ka furnizuar Rusinë me dronë të tipit Shahed për përdorim në luftën në Ukrainë, ndërsa Rusia ka kontribuar në zhvillimin e programit civil bërthamor të Iranit.

Këto zhvillime pritet të rrisin tensionet ndërkombëtare, sidomos në një kohë kur situata në Lindjen e Mesme mbetet e brishtë dhe e paparashikueshme.