Pas dëshmisë së Granit Plava në rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, ku u pretendua se ish-presidenti kishte dijeni për planin, ka ardhur një reagim i ashpër nga Behgjet Pacolli.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Pacolli i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe të motivuara nga interesa personale.
Ai ka përdorur një gjuhë të fortë, duke e përshkruar situatën si një shenjë të “varfërisë së karakterit” nga individë që, sipas tij, në të kaluarën kanë përfituar nga ndihma e tij.
“Njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që bota i njeh si të këqij; shpesh janë ata që i ke ndihmuar më së shumti, e që, sapo ua ndal dorën, kthehen kundër teje me helm, përgojim dhe pabesi,” ka shkruar ai.
Ky reagim vjen në një moment të ndjeshëm të procesit gjyqësor, i cili po ndiqet me interes të madh nga publiku, ndërsa deklaratat dhe dëshmitë e ndryshme po vazhdojnë të nxisin debat në opinion.





