Anëtari i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, ka kërkuar falje publike pas deklaratave të tij lidhur me familjarët e viktimave civile të luftës në Kosovë.
Gjinovci, i cili njihet si bashkëpunëtor dhe mik i Shkëlzen Gashi – autor i ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” – një ditë më parë kishte bërë komente që shkaktuan reagime të forta në opinion.
Në një postim në Facebook, ai ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar dhe ka kërkuar falje publike:
“Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar.”
Ai ka theksuar se qëllimi i ekspozitës nuk ka qenë të lëndojë apo ofendojë askënd, por të nderojë viktimat dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e luftës.
“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd,” ka shtuar ai.
Reagimi i Gjinovcit vjen në një kohë kur ekspozita në fjalë është përballur me kritika të shumta nga opinioni publik, përfshirë edhe debatet mbi saktësinë e të dhënave dhe mënyrën e paraqitjes së ngjarjeve të luftës.





