Shumica voton pro, miratohet buxheti 2026 në Kuvend

Posted by

Pas një seance të ngarkuar me diskutime dhe kundërshtime nga subjektet parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtimin e dytë buxhetin e Republikës për vitin 2026. Me 62 vota për, 36 kundër dhe 1 abstenim, dokumenti final i ndarjeve buxhetore mori miratimin e shumicës së deputetëve të pranishëm në sallë.

Gjatë procesit të votimit u shqyrtuan 86 amandamente të propozuara nga partitë politike, që kishin për qëllim ndryshimin ose plotësimin e ndarjes së mjeteve në fusha të caktuara buxhetore. Nga këto, 32 amandamente u tërhoqën me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së, ndërsa gjashtë prej tyre u miratuan dhe do të përfshihen në versionin përfundimtar të buxhetit.

Seanca u karakterizua nga debatet e gjata ndërmjet pozitës dhe opozitës rreth prioriteteve qeveritare dhe shpenzimeve në sektorët kyç si arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe zhvillimi ekonomik. Deputetët e opozitës kritikuan qeverinë për, siç thanë ata, mungesën e planeve të qarta për investime afatgjata dhe për menaxhimin joefikas të fondeve publike. Nga ana tjetër, përfaqësues të mazhorancës e mbrojtën buxhetin duke e cilësuar atë si “realist dhe zhvillimor”, që sipas tyre, synon stabilitet financiar dhe përkrahje më të madhe për kategoritë sociale.

Me këtë votim, Qeveria e Kosovës i hap rrugë zbatimit të planeve të saj financiare për vitin 2026, ndërsa buxheti pritet të hyjë në fuqi pas procedurave ligjore në ditët në vijim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *