Një kamion në pronësi të kompanisë kosovare AL Cargo sh.p.k. është kapur në pikën kufitare Kapitan Andreevo, në kufirin mes Bullgaria dhe Turqia, duke transportuar kokainë dhe ar me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
Sipas mediave bullgare, kamioni po transportonte lule nga Holanda drejt Turqisë. Gjatë kontrollit doganor, autoritetet zbuluan 10 pako me substancë pluhur, e cila pas testimit rezultoi pozitive për kokainë.
Burime bëjnë të ditur se kamioni i përket kompanisë kosovare në pronësi të Muharrem Muratit, e regjistruar për transport lulesh. Ai dhe djali i tij figurojnë gjithashtu si pronarë të kompanisë transportuese “Luli Trans”.
Në hetime është përfshirë edhe GDBOP (Drejtoria e Përgjithshme për Luftën kundër Krimit të Organizuar). Përveç shoferit, autoritetet bullgare kanë ndaluar edhe dy persona të tjerë, të dyshuar për bashkëpunim në trafik ndërkombëtar droge.
Sipas doganës bullgare, kjo është hera e parë që në këtë pikë kufitare konstatohet një rast i transportimit të njëkohshëm të arit dhe lëndëve narkotike.
Zbulimi u bë falë qenit doganor të trajnuar posaçërisht për zbulimin e narkotikëve, Krum, i cili sinjalizoi praninë e substancave të paligjshme gjatë kontrollit të mjetit.





