Skandal në QKUK: Parkimi nga 50 cent bëhet 1 euro, qytetarët shpërthejnë ndaj vendimit!

Posted by

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka vendosur rritjen e çmimit të parkimit për çdo qytetar që futet me veturë në hapësirat e saj. Nga vendimi i ri, pagesa tani është 1 euro për qëndrim deri 1 orë, në vend të 50 centëve sa ishte më parë. Ky vendim është paraparë në rregulloren e re për shfrytëzim të parkingut, e mbështetur edhe nga bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Vendimi ka shkaktuar revoltim të madh tek pacientët dhe familjarët e tyre, të cilët theksojnë se përveç shpenzimeve për trajtim, barna dhe analiza, tashmë duhet të përballen edhe me kosto më të lartë për parkim.

 

Brahim Maxhuni tha:

“Mendoj se është shumë shtrenjtë për pacientë dhe për personin. Është shtrenjtë, është krizë, tek ne nuk janë rrogat e mëdha për atë arsye kishte qenë mirë me qenë 50 cent.”

Shaban Maloku ngriti shqetësim edhe për oraret e parkingut:

“Në asnjë mënyrë se boll ka ngarkesa në ekonominë familjare… dhe aq më keq është që deri në ora 15:00 rampa nga lindja e diellit pas 15:00 nuk punon.”

Edhe Rifat Ahmeti e konsideron vendimin të padrejtë:

“Monopolin e kanë dhe mund të bëjnë çka të duan, nuk është e arsyeshme… kur e kanë edhe dikë të sëmurë kanë edhe shpenzime plus këtë të veturës.”

Milaim Muqolli nga Podujeva tha:

“Negativ, marri a kanë kërkuar shtet, a kanë kërkuar demokraci… po e keqpërdorin shqiptarët gjitha të zezat.”

Reagime kanë ardhur edhe nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK). Kryetari i saj, Besim Kodra, e konsideron vendimin paradoksal:

“Pa dyshim që është një rëndesë… ky është vendimi më paradoks që e kam dëgjuar. Në shumicën e rasteve nuk mund të japin shërbimin më të mirë të mundshëm, dhe megjithatë, ai prapë po i tatimon.”

 

Derisa QKUK nuk ka dhënë përgjigje mbi arsyet e vendimit dhe destinacionin e mjeteve të grumbulluara nga pagesat e parkimit, është bërë e ditur se së fundmi është vendosur edhe pagesa prej 3 eurosh për shoqëruesit e pacientëve, përveç pacientëve të Klinikës së Onkologjisë dhe pacientëve nën moshën 15 vjeç.

Qytetarët paralajmërojnë se këto vendime mund të rrisin presionin ekonomik mbi familjet dhe të ndikojnë në qasjen tek shërbimi publik shëndetësor.