Skandal zgjedhor në Prizren: 109 komisionerë të ndaluar nga Policia

Posted by

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion të gjerë lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren.

Sipas njoftimit zyrtar, pas pranimit të informatave publike për parregullsi të mundshme në procesin e numërimit, janë ndërmarrë veprime hetimore për vepra penale kundër të drejtave të votimit, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të këtij hetimi, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë gjithsej 109 persona, të dyshuar për veprat penale: falsifikim i rezultateve të votimit, kanosje, si dhe dhënie ose marrje ryshfeti në lidhje me votimin.

Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të vlerësohet parashtrimi i kërkesave për sigurimin e prezencës së të ndaluarve në procedurë.

Në këtë aksion kanë marrë pjesë katër prokurorë të shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, si dhe rreth 200 zyrtarë policorë. Institucionet kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.