Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar përmes faqes së tyre zyrtare në X se gjyqtarët në Hagë garantojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve.
Sipas njoftimit, të drejtat e të akuzuarve mbrohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Nëse një i akuzuar beson se një vendim nuk është në përputhje me ligjin ose shkel të drejtat e tij, ai mund ta apelojë vendimin te një panel i veçantë gjyqtarësh dhe, si mjet i fundit, te Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.
“Në vendimmarrjen e tyre, gjyqtarët ndjekin Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e marra më parë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vetëm Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka zbatuar të paktën 160 raste të vendosura më parë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të siguruar që vendimet e saj të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thekson Specialja.
Ky njoftim vjen për të qartësuar dhe garantuar publikut se proceset gjyqësore për të akuzuarit në Hagë zhvillohen në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.





