Të premten protestë para KEDS-it dhe Qeverisë kundër shtrenjtimit të rrymës

Posted by

Një grup aktivistësh, së bashku me Kolektivin Feminist dhe Përpjekjen, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Sipas njoftimit të tyre, protesta do të mbahet këtë të premte, duke nisur nga ora 13:00 para ndërtesës së KEDS-it, për të vazhduar më pas drejt Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në reagimin e tyre thuhet se, pavarësisht shtrenjtimit të vazhdueshëm, qytetarët vazhdojnë të përballen me ndërprerje të energjisë, mungesë të ngrohjes gjatë dimrit dhe rritje të përgjithshme të kostos së jetesës. Pas rritjes prej 16.1% vitin e kaluar, sivjet është paralajmëruar një tjetër rritje, rreth 20%, që sipas organizatorëve përbën një barrë të papërballueshme për familjet kosovare.

Aktivistët kërkojnë:

  • Refuzimin e menjëhershëm të kërkesës së KEDS-it për rritje të çmimeve
  • Fillimin e procesit për rikthimin e KEDS-it në pronësi publike

Ata kanë ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në protestë, duke theksuar se vetëm përmes reagimit qytetar mund të ndalet, siç e quajnë ata, “hajnia shumëvjeçare” dhe të mbrohet mirëqenia publike.