Tronditëse në Podujevë: tre të vdekur pas të shtënave, dyshohet për vrasje dhe vetëvrasje

Posted by

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Majac, Podujevë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë humbur jetën tre persona.

Sipas informacioneve, gjithçka nisi me një vrasje brenda një veture, ku viktima u gjet me plagë të rënda në kokë. Një dëshmitar okular, i cili ishte ndër të parët që mbërriti në vendin e ngjarjes, ka rrëfyer momentet tronditëse:

“Viktima i ka pasur dy plagë në kokë, njërën prej tyre në ballë. Trupi i tij ka qëndruar rreth 25 minuta në veturë deri sa është gjetur i vdekur.”

Sipas tij, e dyshuara, Ardita Gashi, pas krimit të parë është drejtuar drejt shtëpisë së familjarëve të saj, ku ka kryer një tjetër vrasje.

“Ajo ka shkuar te shtëpia e axhës, e ka kërkuar gruan e tij dhe pasi kanë hyrë në dhomë për të biseduar, e ka vrarë. Më pas ka qëndruar aty deri në ndërhyrjen e policisë dhe ka tentuar të vrasë veten,” rrëfen dëshmitari.

Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, por plagët rezultuan fatale. Fillimisht u konfirmua vdekja e gruas rreth orës 03:00 të mëngjesit, ndërsa më pas ka ndërruar jetë edhe vetë e dyshuara.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria janë duke vazhduar hetimet për të zbardhur motivet e këtij krimi të trefishtë që ka tronditur vendin.