Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Financiar dhe Ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Lidhur me këtë nismë ka folur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili theksoi rëndësinë e saj për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërqeveritar, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.
Sipas tij, miratimi i kësaj marrëveshjeje do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve dhe koordinimit mes Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe asaj të Republikës së Turqisë.
“Duke pasur parasysh se aprovimi i kësaj nisme është shumë i rëndësishëm, edhe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Republikës së Turqisë, kërkojmë të miratohet”, deklaroi Maqedonci.
Kjo marrëveshje pritet të thellojë bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve dhe të kontribuojë në avancimin e sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë.





