Vendimi për ish-krerët e UÇK-së drejt finalizimit – nis kuvendimi në Hagë

Posted by

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës është përmbyllur më 18 shkurt, duke hyrë tashmë në fazën përfundimtare të vendimmarrjes.

Nga kjo gjykatë është konfirmuar se trupi gjykues ka nisur kuvendimet për përpilimin e aktgjykimit, të cilat zhvillohen në mënyrë konfidenciale. Sipas procedurave, secili gjykatës paraqet qëndrimet dhe përfundimet e tij mbi çdo pikë të shqyrtuar, ndërsa vendimi përfundimtar merret vetëm nëse fajësia provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Në këtë proces janë të përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata ndodhen në paraburgim që nga viti 2020, ndërsa gjykata ka sqaruar se çdo vendim për vazhdimin e paraburgimit bazohet në rrethanat individuale të secilit të akuzuar. Në rastin e Hashim Thaçi, është vlerësuar se ekziston rrezik për pengim të drejtësisë dhe ndikim ndaj dëshmitarëve, nëse lirohet.

Ndërkohë, edhe pse ka nisur afati prej 90 ditësh për shpalljen e vendimit, ekspertët paralajmërojnë se ky afat mund të zgjatet për shkak të kompleksitetit të çështjes.

Sipas Fondi për të Drejtën Humanitare, numri i madh i dëshmitarëve – mbi 130 – dhe mijëra faqe prova kërkojnë analizë të detajuar, çka mund të ndikojë në shtyrjen e vendimit final.

Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i nisur në prill të vitit 2023 në Hagë, konsiderohet një nga gjykimet më të rëndësishme për drejtësinë ndërkombëtare që lidhet me Kosovën.