Kanë kaluar tashmë 50 ditë që nga përfundimi i gjykimit në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Hagës, ndërsa gjyqtarëve u kanë mbetur edhe 40 ditë për të marrë vendimin përfundimtar.
Sipas rregullave të Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë nga mbyllja e procesit për të shpallur vendimin. Ky afat mund të zgjatet vetëm në raste të veçanta deri në 60 ditë shtesë.
Duke qenë se gjykimi përfundoi më 19 shkurt, afati 90-ditor përfundon më 19 maj, datë që aktualisht konsiderohet si kufiri i fundit për shpalljen e vendimit, nëse nuk kërkohet shtyrje.
Deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar që tregon se gjyqtarët kanë kërkuar kohë shtesë, çka do të thotë se mbetet në fuqi afati aktual.
Në përgjigjen e saj, Gjykata Speciale ka theksuar se çdo vendim për zgjatje të afatit duhet të bëhet publik dhe të arsyetohet, ndërsa palët në proces informohen zyrtarisht.
Rregullorja e Procedurës dhe Provave parashikon që vendimi të merret për secilën akuzë veçmas, duke u bazuar vetëm në provat e paraqitura dhe të pranuara gjatë gjykimit.
Ndërkohë, edhe pas përfundimit të procesit gjyqësor, Prokuroria e Hagës ka dorëzuar materiale shtesë në mars, konkretisht më 4 dhe 10 mars. Kjo është kundërshtuar nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, por gjyqtarët kanë vendosur në favor të Prokurorisë.
Sipas vendimit, këto materiale nuk konsiderohen prova të reja dhe nuk ndikojnë në procesin e vendimmarrjes, pasi trupi gjykues merr në shqyrtim vetëm provat e pranuara gjatë gjykimit.
Në përfundim, pavarësisht se procedura ka mbaruar, krerët e UÇK-së vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim deri në shpalljen e vendimit përfundimtar.






Leave a Reply