75 VJET BURG për “kokainën nga Brazili”! Godet Gjykata Themelore në Prishtinë – zbardhen dënimet për grupin kriminal

Posted by

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj pesë të akuzuarve në rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, duke i dënuar me gjithsej 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë.

Në këtë rast ishin të akuzuar pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi.

Sipas vendimit:

  • Faton Vrajolli u dënua me 20 vjet burg dhe 30 mijë euro gjobë
  • Izet Sheqiri me 20 vjet burg dhe 63 mijë euro gjobë (përfshirë edhe armëmbajtje pa leje)
  • Kadri Sheqiri me 15 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë
  • Kadri Brahimi me 10 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë
  • Fehmi Bytyqi me 10 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë

Të gjithë u shpallën fajtorë për “Pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar”, ndërsa ndaj disa prej tyre është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Gjykata ka urdhëruar gjithashtu konfiskimin e 400 kilogramëve kokainë, mjeteve që janë përdorur për kryerjen e veprës penale, si dhe armës në posedim të Izet Sheqirit.

Pas shpalljes së vendimit, njërit nga të akuzuarit iu përkeqësua gjendja shëndetësore, duke kërkuar ndërhyrje mjekësore.

Ky rast konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj krimit të organizuar në Kosovë, ndërsa hetimet ishin zhvilluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.