Akuza për nepotizëm në Suharekë: Profesori me 25 vite përvojë dërgohet në fshatra, orët i merr i afërmi i kryetarit

Posted by

Dyshimet për nepotizëm në Suharekë kanë ngritur debat pas rastit të profesorit Astrit Sahitaj, i cili ka mbi 25 vite përvojë në arsim dhe është veteran i Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ai pretendon se është larguar nga shkolla e tij bazë, Gjimnazi “Jeta e Re”, për t’u dërguar të mbajë mësim në shkolla të fshatrave të largëta.

Sipas raportimeve, në vend të tij orët e historisë në qytet i ka marrë Shpat Muharremaj, i cili përmendet si i afërm i kryetarit të komunës, Bali Muharremaj.

 

 

Drejtoria gjithashtu ka pranuar se pas datës 12 janar, orët e historisë i janë kaluar Shpat Muharremajt, duke e arsyetuar këtë me afërsinë e shkollës fillore ku ai punon me gjimnazin, gjë që sipas tyre e ka bërë më të lehtë harmonizimin e orarit.

Megjithatë, profesori Sahitaj i ka hedhur poshtë këto arsyetime, duke thënë se vendimi është i padrejtë dhe cenon parimin e meritokracisë.

Ai ka deklaruar se, pavarësisht përvojës së gjatë dhe avancimeve akademike, gjatë këtij viti shkollor nuk i është plotësuar norma në gjimnaz dhe është detyruar të udhëtojë në distanca të gjata për të mbajtur mësim në shkolla të tjera.

 

 

“Pavarësisht përvojës sime profesionale dhe licencës për mësimdhënie, jam detyruar të mbuloj orë në shkolla të tjera, shpesh duke ndërruar dy linja autobusi për të arritur në vendin e punës”, ka deklaruar Sahitaj.

Ai ka ngritur dyshime edhe për konflikt interesi, duke përmendur lidhjen familjare të personit që ka marrë orët me kryetarin e komunës. Sipas tij, nuk kërkon privilegje, por vetëm zbatimin e ligjit dhe respektimin e kritereve profesionale.

Profesori ka treguar se situata është rënduar edhe nga rrethanat familjare, pasi ai është kujdestari i vetëm i nënës së tij, e cila vuan nga kanceri dhe ka nevojë për përkujdesje të vazhdueshme.

Për këtë arsye, ai ka bërë të ditur se po shqyrton edhe mundësinë e pensionimit të parakohshëm, ndërsa ankesat e tij për rastin, sipas tij, po zvarriten në institucionet komunale pa ndonjë zgjidhje konkrete.