Hapet rruga Pejë–Kullë për vetura, por kamionët mbeten të bllokuar nga bora

Posted by

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se është rihapur për qarkullim të pjesshëm rruga në drejtim të Pejë, konkretisht në pikën kufitare Kullë-Rozhajë.

Sipas njoftimit, nga ora 13:00 kjo rrugë është e kalueshme vetëm për vetura të vogla, ndërsa për kamionët vazhdon të mbetet e bllokuar. Autoritetet kanë bërë thirrje që drejtuesit e mjeteve të pajisen patjetër me pajisje dimërore për shkak të kushteve të vështira në terren.

Bllokimi i rrugës erdhi si pasojë e reshjeve të dendura të borës që përfshinë zonën gjatë ditës së djeshme, duke e bërë qarkullimin të rrezikshëm dhe në disa raste të pamundur.

Situata u bë edhe më serioze kur disa persona mbetën të bllokuar në këtë segment, përfshirë një familje pesëanëtarëshe. Në ndihmë ndërhyri Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor, i cili realizoi evakuimin në kushte të vështira atmosferike.

Autoritetet kanë bërë të ditur se do të informojnë qytetarët për çdo ndryshim të mëtejshëm në gjendjen e rrugës.