Skandal me tenderin 600 mijë € – Universiteti i Prizrenit kërkon “listë të zezë” për dy kompani!

Posted by

Një skandal i mundshëm me tenderë publikë ka dalë në pah, pasi Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” ka kërkuar që dy kompani të futen në listë të zezë për shkak të dyshimeve për manipulim dokumentesh.

Bëhet fjalë për kompanitë Schafberger Jr GMBH dhe Erik SHPK, të cilat kishin aplikuar në një tender për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të universitetit, me vlerë rreth 600 mijë euro.

Sipas dokumenteve të siguruara, universiteti ka kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që këto kompani të procedohen sipas Nenit 99.2 të Ligjit për Prokurimin Publik, pasi dyshohet se kanë paraqitur dokumente të pasakta dhe licenca të skaduara.

Nga verifikimet, janë konstatuar mospërputhje në certifikatat ISO, përfshirë ISO 45001, ku janë gjetur dallime në numra dhe data, si dhe dorëzim i certifikatave të pavlefshme. Po ashtu, një certifikatë e vitit 2022 për menaxhim të riskut rezulton e anuluar dhe jo valide për përvojë pune.

Shkelje të tjera përfshijnë mungesën e dokumentacionit të kërkuar nga komuna për kompaninë Erik SHPK, si dhe dyshime serioze mbi kapacitetin real të kompanive për të përmbushur kontratën, përfshirë mungesën e pajisjeve bazë për pastrim.

Universiteti ka ngritur shqetësime edhe për ofertën financiare, duke vlerësuar se çmimi i propozuar nuk mbulon as pagat dhe të drejtat bazë të punëtorëve.

Ndërkohë, sipas Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, punëtorët teknikë të këtyre kompanive janë paguar nën pagën minimale, duke theksuar se në disa raste kanë marrë vetëm rreth 292 euro.

Për këto shkelje, Inspektorati i Punës ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të dy kompanive.

Ky rast pritet të trajtohet nga autoritetet përkatëse, ndërsa hedh dritë mbi problemet e vazhdueshme me transparencën dhe zbatimin e ligjit në prokurimin publik në Kosovë.