Një transaksion financiar prej 140 mijë eurosh mes deputetit Mërgim Lushtaku dhe kompanisë “Isa SH.P.K.”, në pronësi të biznesmenit Rrustem Dobra, është bërë pjesë e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Sipas konfirmimit nga prokuroria, rasti është aktualisht në fazën e hetimeve dhe janë autorizuar edhe veprime shtesë nga Policia e Kosovës. Gjithashtu pritet të angazhohet një ekspert për të kryer ekspertizë financiare lidhur me këtë çështje.
Biznesmeni: Ishte shitblerje e rregullt e pronës
Pronari i kompanisë “Isa SH.P.K.”, Rrustem Dobra, ka deklaruar se nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar për hetim ndaj tij. Ai konfirmoi se në vitin 2022 ka realizuar një shitblerje të rregullt prone me Mërgim Lushtakun.
Sipas tij, bëhej fjalë për një tokë me një shtëpi të papërfunduar, e cila është shitur për 140 mijë euro, ndërsa pagesa është kryer përmes bankës dhe është formalizuar me kontratë sipas procedurave ligjore.
Dobra theksoi se për të ka qenë një marrëdhënie e zakonshme civile dhe e ligjshme, duke shtuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet nëse kërkohet sqarim.
Lushtaku: Ende borxh për pronën
Edhe vetë deputeti Mërgim Lushtaku e ka pranuar se ka blerë tokë nga biznesmeni Dobra.
Sipas deklarimit të pasurisë të publikuar në vitin 2025, ai vazhdon të ketë një pjesë të papaguar për këtë pronë që nga viti 2022, duke deklaruar se i kanë mbetur edhe 15 mijë euro për t’i shlyer.
Në të njëjtin deklarim, Lushtaku ka raportuar gjithashtu mbi 20 mijë euro kursime në bankë.
Kompania përfituese e tenderëve në Skënderaj
Kompania “Isa SH.P.K.” rezulton gjithashtu kontraktore e Komunës së Skënderajt.
Në vitin 2024, gjatë kohës kur Fadil Nura ishte kryetar i komunës dhe Sami Lushtaku nënkryetar, një konsorcium i udhëhequr nga kjo kompani fitoi një tender mbi 1 milion euro për asfaltimin e rrugëve në disa fshatra të komunës.
Po ashtu, një vit më herët, në 2023, një kompani e lidhur me “Isa SH.P.K.” kishte marrë nga komuna pronë për ndërtimin e një stacioni autobusësh.
Hetimet për këtë rast janë ende në zhvillim.






Leave a Reply