Reperi Gold AG ka reaguar publikisht pas incidentit që tronditi opinionin gjatë ditës së djeshme, ku një arsimtar në shkollën “Pavarësia” u provokua rëndë nga një nxënës 15-vjeçar.
Sipas raportimeve, nxënësi kishte planifikuar provokimin ndaj mësimdhënësit së bashku me shokët e tij, me qëllim që ta incizonin ngjarjen në një sallë ku nuk kishte kamera sigurie.
Ai ka bërë një krahasim mes gjeneratave, duke kujtuar kohën kur mësuesi konsiderohej figurë e shenjtë dhe nxënësit kishin turp edhe të ndiznin cigare para tyre.
“Sot kemi ardhur në atë pikë sa profesorit i thuhet ‘o bir’ pa asnjë ndjenjë përgjegjësie apo respekti”, shkruan reperi.
Si fëmijë i dy mësuesve, Gold AG thekson se edukimi fillon në familje, duke u bërë thirrje prindërve që të mos mbrojnë gabimet e fëmijëve të tyre, por t’i edukojnë dhe t’i mësojnë respektin ndaj autoritetit.
“Ti thuaj sa të duash s’guxon me ma prekë evladin tem, po dil njëherë në vend të profesorit dhe pastaj fol”, përfundon ai mesazhin e tij të prerë.





