Debati për përfshirjen e Kosovës në projektin e gazit amerikan ka nxitur përplasje të reja politike mes Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Pas thirrjes së deputetit të zgjedhur të LDK-së, Avdullah Hoti, për organizimin e protestave në mbështetje të projektit të gazit amerikan, ka reaguar deputeti i zgjedhur i LVV-së, Ilir Kërçeli.
“Ta mbrojmë me protestë aleancën tonë me SHBA-të, tha një deputet dhe ish-kryeministër i LDK-së. Ooo mbrojeni LDK-në, sepse po ju ndërrohet qiramarrësi. Për aleancën me SHBA-të ka kush kujdeset dhe e mbron”, ka shkruar Kërçeli.
Më herët gjatë ditës, Hoti u kishte bërë thirrje odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe qytetarëve që të mbështesin përmes protestës demokratike përfshirjen e Kosovës në projektin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) me origjinë amerikane.
Sipas tij, mosangazhimi në këtë projekt rrezikon ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë një iniciative strategjike energjetike të mbështetur nga SHBA-ja.
Hoti ka akuzuar gjithashtu Vetëvendosjen për kundërshtim të vazhdueshëm ndaj proceseve që, sipas tij, kanë qenë të rëndësishme për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës.
“Secili e ka të qartë se ato kundërshtime burojnë nga orientimi antiamerikan i Vetëvendosjes”, ka deklaruar ai.
Ai ka përmendur si shembuj kundërshtimin e LVV-së ndaj negociatave të Vjenës dhe ndaj Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Çështja e gazit amerikan është kthyer në një nga temat më të diskutuara politike në vend, pasi SHBA-ja ka shprehur interes për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të LNG-së, ndërsa Qeveria në detyrë ka shfaqur rezerva dhe ka propozuar alternativa të tjera energjetike.
Polemikat mes partive politike pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, teksa diskutimet për sigurinë energjetike dhe marrëdhëniet me SHBA-në mbeten në fokus të debatit publik.





