Këngëtari i njohur shqiptar Besnik Qaka ka ndarë detaje nga përvoja e tij në dasmën madhështore të Dua Lipa dhe Callum Turner, e cila u mbajt në Sicili të Italisë.
I ftuar në një intervistë televizive, Besniku u pyet për emocionet dhe atmosferën e ceremonisë, ku ai ishte një nga artistët që performoi për të ftuarit.
Prezantueseja e programit e komplimentoi për performancën e tij, duke theksuar se shumë artistë dhe personalitete ndërkombëtare të pranishëm në dasmë kishin kënduar dhe vallëzuar nën ritmet e muzikës shqiptare.
Duke folur për përvojën e tij, Qaka u shpreh:
“Super, jemi kënaqur, e kemi shijuar. Ka qenë një dasmë gjigante. Kemi performuar para gjithë njerëzve eminentë që i kemi pasur aty”.
Në mesin e të ftuarve specialë për të performuar ishte edhe Sinan Vllasaliu.
Megjithatë, pjesëmarrja e tij erdhi pas një periudhe jo të lehtë, pasi artisti kishte pësuar një aksident me motor vetëm pak ditë para ceremonisë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje mjekësore.
Pavarësisht kësaj, ai vazhdon procesin e rikuperimit.
Dua Lipa dhe Callum Turner kurorëzuan dashurinë e tyre me një festë luksoze tre-ditore në Sicili, e cila tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Ceremonia mblodhi figura të njohura nga bota e muzikës, filmit dhe modës, ndërsa detajet nga eventi vazhdojnë të jenë ndër temat më të komentuara në rrjetet sociale dhe mediat rozë.
Për Besnik Qakën, performanca në një ngjarje të tillë përbën një moment të veçantë në karrierën e tij artistike, duke sjellë muzikën shqiptare përpara një audience ndërkombëtare.





