Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Albulena Haxhiun për zgjedhjen e saj si Kryetare e Kuvendit të Kosovës, si dhe nënkryetarët e rinj për përgjegjësinë e marrë nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve.
Përmes një mesazhi publik, Osmani theksoi se Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Ajo shprehu besimin se udhëheqja e re do ta ushtrojë mandatin me përgjegjësi të plotë demokratike, në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të shtetit.
Në fund të mesazhit të saj, Osmani uroi që ky mandat të karakterizohet nga vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë e lartë demokratike dhe angazhim i palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës.





