Në seancën e Kuvendi i Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar që të procedohet me urgjencë Projektligji për Buxhetin.
Murati theksoi se miratimi i këtij projektligji është një nevojë emergjente për funksionimin normal të institucioneve dhe realizimin e obligimeve financiare të shtetit. Sipas tij, ndryshimi i vetëm në këtë projektligj lidhet me pagën e 13-të, e cila parashihet të ekzekutohet në fillim të vitit dhe jo në fund, siç ka qenë praktika më herët.
Ministri bëri të ditur edhe detajet e ndarjes buxhetore, duke sqaruar se kufiri i përgjithshëm i shpenzimeve arrin në rreth 4 miliardë euro.
Sipas tij, ndarja është planifikuar si vijon:
- 980 milionë euro për paga dhe shtesa,
- 545 milionë euro për mallra dhe shërbime,
- 1 miliard e 358 milionë euro për subvencione dhe transfere,
- 998.4 milionë euro për shpenzime kapitale,
- si dhe 100 milionë euro të tjera të financuara nga klauzola e investimeve.
Murati theksoi se ky buxhet synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, investimet publike dhe mbështetjen sociale për qytetarët.





