Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka uruar Donika Gërvalla-Schwarz për emërimin e saj në pozitën e Ministres së Drejtësisë në kabinetin e ri qeveritar.
Përmes një reagimi publik, Peci theksoi se Gërvalla e ka merituar këtë detyrë, duke vlerësuar guximin, integritetin dhe përkushtimin e saj ndër vite. Ai nënvizoi se drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë kërkon jo vetëm profesionalizëm dhe vizion të qartë, por edhe vendosmëri dhe karakter të fortë.
“Detyra e re e Donikës, përveç profesionalizëm e vizion të qartë, kërkon edhe guxim. Sistemi i drejtësisë është ndër më sfiduesit dhe kërkon integritet, zë të kthjellët, vendosmëri, energji, konsekuencë, pastërti e drejtësi në shpirt – cilësi që e veçojnë Donikën,” ka shkruar Peci.
Ai shtoi se emërimi i saj në krye të drejtësisë forcon besimin se rruga e nisur nga ish-ministrja Albulena Haxhiu do të vazhdojë e palëkundur.
Në fund të mesazhit të tij, Peci i uroi suksese në përgjegjësinë e re, duke theksuar se ky rrugëtim duhet të udhëhiqet nga parimet, integriteti dhe dinjiteti i saj.





