Turqia po vlerëson të gjitha opsionet e mundshme që mund të ndërmerren në rast të një konflikti mes fqinjit të saj, Irani, dhe Shtetet e Bashkuara, ka bërë të ditur një burim diplomatik turk për Reuters.
Irani dhe SHBA-të rifilluan negociatat më herët këtë muaj, ndërsa Uashingtoni ka rritur kapacitetet ushtarake në Lindjen e Mesme. Teherani ka paralajmëruar se do të godasë bazat amerikane në rajon nëse sulmohet, megjithatë diplomacia mbetet ende në tryezë, me zyrtarë iranianë që kanë lënë të kuptohet se një marrëveshje është e mundur nëse prioritet i jepet dialogut.
Si anëtare e NATO dhe aleate e SHBA-ve, por njëkohësisht vend mysliman dhe fqinj i Iranit, Turqia ndodhet në një pozitë delikate gjeopolitike.
“Natyrisht, po vlerësohen të gjitha aspektet e masave që mund të merren në rast të një zhvillimi negativ,” ka thënë burimi për Reuters, duke shtuar se po shqyrtohen të gjithë skenarët për të garantuar sigurinë e qytetarëve turq.
Ai theksoi gjithashtu se çdo veprim që do të “shkelte sovranitetin e Iranit” është jashtë diskutimit. Ndërkohë, zyra e presidencës turke për luftën kundër dezinformimit ka mohuar raportimet se Turqia po planifikon të hyjë në territorin iranian për të parandaluar një fluks të mundshëm refugjatësh.





