Aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari po hyn në një fazë të re sigurie dhe modernizimi. Autoritetet kanë njoftuar se do të instalohen pajisje të avancuara të standardit C3 për kontrollin e udhëtarëve, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe sigurisë.
Sipas njoftimeve zyrtare, çdo person që udhëton nga Prishtina drejt destinacioneve të tjera është i obliguar të kalojë përmes kontrolleve të sigurisë me pajisje skanimi. Me rritjen e vazhdueshme të numrit të udhëtarëve, aeroporti ka vendosur të investojë në teknologji moderne që premton kontrolle më të shpejta, më të sakta dhe më të detajuara.
Pajisjet C3, të prezantuara së fundmi në treg, mundësojnë analizë më të avancuar të bagazhit dhe reduktojnë kohën e pritjes për pasagjerët. Sipas autoriteteve, ky investim synon të kombinojë teknologjinë e fundit me procedura efikase, duke garantuar siguri maksimale dhe një përvojë më të rehatshme për udhëtarët.





