Miqësia mes Klodit dhe Londrimit ka kaluar kufijtë e Kosovës dhe është kthyer në një fenomen ndërkombëtar. Dyshja, e quajtur nga fansat “Klodrim”, po bën bujë të madhe në Brazil, ku emrat e tyre janë bërë trend në rrjete sociale.
Vëmendja ka shkuar deri aty sa mediumi brazilian Pride Pop BR, i fokusuar në kulturën pop dhe showbiz-in ndërkombëtar, u ka dedikuar disa postime radhazi djemve të Big Brother VIP Kosova.
Sipas raportimit të tyre, gjatë një prime-i, banorët u surprizuan nga një video (VT) që tregonte se si miqësia e Klodit dhe Londrimit po komentohej në mbarë botën. Reagimi i tyre ishte plot entuziazëm – Londrimi, me mbështetjen e Klodit, përshëndeti fansat në gjuhën portugeze dhe madje këndoi disa vargje nga hitet e superyllit brazilian Anitta, duke theksuar me humor: “Anitta është më e mira!”.
Ky moment ka shtuar edhe më shumë popullaritetin e dyshes, duke e shndërruar “Klodrim” në një nga fenomenet më të komentuara të këtij edicioni.





