Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duket se ka ndryshuar qasje sa i përket zgjedhjes së presidentit, duke u larguar nga ideja e një kandidature konsensuale dhe nga mbështetja për një mandat të ri të Vjosa Osmani.
Sipas burimeve brenda VV-së, Kurti pritet ta propozojë Glauk Konjufca si kandidat për president të Republikës së Kosovës. Kjo ide është diskutuar edhe në takimin e fundit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga i cili është kërkuar mbështetje për këtë kandidaturë.
Mësohet se shumica parlamentare i ka siguruar tashmë 30 nënshkrimet e nevojshme për ta proceduar kandidaturën në Kuvend. Seanca për zgjedhjen e presidentit pritet të thirret shumë shpejt.
Brenda partisë në pushtet besohet se po llogariten edhe vota nga radhët e opozitës, përfshirë deputetë të PDK-së. Megjithatë, zyrtarë të kësaj partie kanë mohuar kategorikisht një mundësi të tillë, duke theksuar se nuk do të votojnë një kandidat të VV-së për president.
Për çështjen e presidentit, Kurti ka zhvilluar disa raunde bisedimesh edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, si dhe me Abdixhikun, por pa arritur marrëveshje për një emër të përbashkët.
Afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit është 5 marsi. Nëse deri atëherë nuk arrihet zgjedhja, vendi mund të përballet me pasoja kushtetuese, përfshirë mundësinë e zgjedhjeve të reja.






Leave a Reply