Takimi i sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është përqendruar te procesi i zgjedhjes së presidentit dhe roli që mund të ketë LDK-ja në sigurimin e votave të nevojshme në Kuvend.
Sipas burimeve nga brenda këtij takimi, Kurti ka kërkuar një garanci politike që të paktën 15 deputetë të LDK-së do të jenë të pranishëm në sallë, në rast se si kandidate për presidente propozohet Vjosa Osmani.
Mësohet se kërkesa e tij nuk ka qenë domosdoshmërisht për votë “pro”, por për sigurimin e kuorumit, në mënyrë që seanca të mos dështojë për shkak të mungesës së deputetëve. Sipas të njëjtave burime, Kurti ka paralajmëruar se pa një angazhim të tillë ekziston rreziku i një bllokade të re institucionale.
Nga ana tjetër, Abdixhiku thuhet se ka theksuar se brenda LDK-së ka qëndrime të ndryshme lidhur me kandidaturën e Osmanit. Ai nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare, por ka lënë të hapur mundësinë e një qëndrimi që do të siguronte funksionimin normal të institucioneve, përfshirë pjesëmarrjen në seancë edhe nëse disa deputetë do të votonin kundër.
Çështja e kandidaturës së Osmanit është diskutuar në kuadër të përpjekjeve të Kurtit për të siguruar paraprakisht mbështetjen minimale në Kuvend, me qëllim shmangien e dështimit të seancave dhe thellimit të krizës politike.
Burime politike vlerësojnë se kërkesa për 15 nënshkrime nga LDK-ja tregon përpjekjen e Kurtit për të pasur një garanci numerike përpara një propozimi zyrtar, ndërsa LDK-ja po përpiqet të balancojë qëndrimet e brendshme me presionin për zhbllokimin e situatës.
Kontaktet mes dy liderëve pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa vendimi final i LDK-së do të varet nga diskutimet e brendshme partiake dhe zhvillimet politike në Kuvend.






Leave a Reply