Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka marrë vendim për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke hapur rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vend. Njoftimi u bë gjatë një konference për media të mbajtur sot në Presidencë, pas zhvillimeve të fundit në Kuvend.
Presidentja Osmani theksoi se vendimi për shpërndarjen e Kuvendit vjen pas dështimit të deputetëve për të përmbyllur procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit në seancën e mbajtur mbrëmjen e kaluar.
Sipas saj, mungesa e kuorumit dhe pamundësia për të zhvilluar votimin sipas procedurave kushtetuese kanë krijuar një situatë të bllokadës institucionale, e cila kërkon zgjidhje përmes organizimit të zgjedhjeve të reja.
“Pas dështimit të Kuvendit për të përmbushur detyrimet kushtetuese në procesin e zgjedhjes së presidentit, dhe në përputhje me kompetencat që më jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kam vendosur për shpërndarjen e Kuvendit”, deklaroi Osmani gjatë konferencës për media.
Në seancën e fundit parlamentare, kandidatë për postin e presidentit të Kosovës ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku. Megjithatë, për shkak të mungesës së kuorumit në sallë, procesi i votimit nuk mundi të zhvillohej dhe seanca u ndërpre pa arritur një rezultat.
Ky zhvillim ka thelluar paqartësinë politike në vend dhe ka pamundësuar përmbylljen e një prej proceseve më të rëndësishme institucionale. Në këto rrethana, shpërndarja e Kuvendit konsiderohet si një hap kushtetues për të tejkaluar situatën e krijuar dhe për t’ia kthyer vendimmarrjen qytetarëve përmes zgjedhjeve të reja.
Pas këtij vendimi, institucionet përkatëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pritet të ndërmarrin hapat e nevojshëm për organizimin e procesit zgjedhor brenda afateve të përcaktuara me ligj.
Zhvillimet e fundit pritet të intensifikojnë aktivitetin politik në vend, ndërsa partitë politike do të përgatiten për një tjetër garë zgjedhore që mund të përcaktojë drejtimin e ardhshëm politik të Kosovës






Leave a Reply